PALËT: Shoqëria Tregtare APR SH.P.K. – Asistencë e Përgjithshme Rrugore
(tani e tutje APR), dhe Kontraktuesi me të dhënat si në pjesën e parë,
pjesë e kësaj Kontrate (tani e tutje Klienti), janë pajtuar si vijon:
Neni 1
Objekti
Mbulesa e Asistencës Rrugore
1. Klienti është abonuar me automjetin për përdorim personal (jo komercial), deri në peshën 3.5 ton.
2. Në pakon “APR Lokal” e vlefshme për territorin e Republikës së Kosovës, kjo pako përmban:
2.1 Asistencë duke filluar që nga defektet e vogla si: ndezja e automjetit në rast të mungesës së rrymës (asistimi me kabllo).
2.2 Asistencë në ndërrimin e gomës ose të ndonjë defekti të vogël që mund të mënjanohet në vend
(me ç’rast pajisjet rezervë, si goma, ose ndonjë material tjetër mbulohet nga klienti).
2.3 Asistencë në rastet e aksidentimit të automjetit.
3. Në rast të pamundësisë së mënjanimit të defekteve të lartëshënuara ose defekteve të tjera automjeti
do të transportohet deri në vendin (lokacionin) e parë që kërkon klienti.
4. APR merr përsipër të ofroj asistime në numër të pa kufizuar për këto shërbime dhe klienti ka të drejtë
që t’i kërkoj vetëm për automjetin që është përfshirë në këtë kontratë.
Neni 2
Koha e ofrimit të shërbimeve
1. APR obligohet që nga momenti i pranimit të kërkesës për asistim, të ofroj asistencën brenda
60 (gjashtëdhjetë) minutave në kushte normale atmosferike dhe rrugore.
2. Nuk konsiderohet shkelje e kontratës kur përmbushja e detyrimit është bërë e pamundur për shkak
të ngjarjes për të cilën nuk është përgjegjëse APR, ngjarje të tilla duke mos u kufizuar në to mund të jenë:
Fuqia madhore (vis major), trazira, sulme terroriste, greva, etj.
Neni 3
Të drejtat dhe detyrimet
1. Klienti ka të drejtë të kërkoj, kur shfaqet nevoja për shërbimet si në nenin 1 (një) të kësaj kontrate
dhe APR ka për detyrim t’i ofroj ato sipas kushteve të kontratës.
2. Klienti ka të drejtë që, në rast të shitjes së automjetit, të bartë abonimin në një automjet tjetër
vetëm 1 (një) herë brenda vitit, kundrejt pagesës administrative sipas tarifës së APR-së.
Në këtë rast, kontrata rifillon pas përshkrimit të 100 (njëqind) kilometrave nga momenti i njoftimit
dhe mbetet e vlefshme deri në përfundimin e saj.
3. APR nuk është e detyruar të ofroj shërbimet nga neni 1 (një) e kësaj kontrate nëse klienti kërkon bartjen
e automjetit për në lokacionin e dytë, për defektin e njëjtë për të cilin vet e ka zgjedhur lokacionin e parë,
apo nga servisi në lokacione tjera, si dhe nëse klienti nuk e përdor automjetin në pajtim me destinimin e tij,
drejtuesi me dashje ka shkaktuar dëmin ose ka sjell situatën ku duhet të kërkoj asistencë
(p.sh. gara në terrene malore, futja e qëllimshme në baltë ose dëborë, humbja e çelsit apo ndonjë defekti nga neglizhenca etj.).
4. Pa rënë ndesh me nenin 1 (një), të kontratës, APR nuk është e obliguar të ofroj asistencë për të njëjtin defekt
më shumë se 2 (dy) herë, nëse për atë defekt është sugjeruar nga stafi i APR-së që të eliminohet.
5. APR nuk është e detyruar të ofroj shërbime që nuk janë pjesë e kësaj kontrate ose kur automjeti ka dalë nga rruga
(ka rënë në humnerë ose të ngjashme), dhe kthimi i automjetit në rrugë nuk mund të bëhet me auto-bartje
por nevojitet vinç i veçantë.
6. APR ka të drejtë që në rast të një kërkese për asistencë rrugore, të verifikojë gjendjen e automjetit
për të siguruar që kërkesa është e justifikuar dhe në përputhje me kontratën.
Neni 4
Privatësia
APR-ja i trajton të dhënat e dërguara nga klienti në përputhje me ligjin i cili mbulon fushën e të dhënave personale.
Neni 5
Përgjegjësia për sendet
APR nuk mbanë përgjegjësi për mallrat ose sendet e paligjshme që mund të gjenden brenda automjetit gjatë transportit,
përgjegjësia për to është e pronarit ose drejtuesit të mjetit.
Neni 6
Mosmarrëveshjet
1. Klienti ka të drejtë ankese pranë APR-së, në rast se nuk i ofrohen shërbimet sipas kontratës.
2. Në rast të mosmarrëveshjeve eventuale që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj Kontrate,
Palët kontraktuese do të provojnë t’i zgjidhin me bisedim dhe mirëkuptim.
Nëse kjo nuk arrihet, Palët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kompetente në Republikën e Kosovës.
3. Palët me nënshkrimin e kësaj kontrate dakordohen që për të gjitha çështjet që mund të shfaqen në lidhje me këtë kontratë
vlejnë ligjet e Republikës së Kosovës.
Neni 7
Shkëputja e kontratës dhe Penaliteti
1. Shkëputja e kontratës : APR ka të drejtë ta shkëpusë këtë Kontratë në qoftë se Klienti mashtron lidhur me realizimin e shërbimeve
(p.sh., ofron informacione të rreme, fsheh faktorë të rëndësishëm ose shfaq sjellje të tjera që shkelin besueshmërinë e Kontratës).
Si dhe nëse automjeti përdoret për qëllime komerciale, si automjetet për qira (Rent a Car), automjetet për dërgesa,
taksitë, furgonat, automjetet pick-up e tjerë (pavarësisht a janë të regjistruara në emër personal apo komercial),
pasi që për këto automjete APR ofron pako të tjera.
2. Penaliteti : Në rast se Klienti shkel këtë nen dhe APR e shkëput kontratën për këtë arsye,
Klienti detyrohet të paguaj një dëmshpërblim prej 1000 (njëmijë) euro për keqpërdorim të shërbimit.
Neni 8
Hyrja në Fuqi
1. Klienti deklaron që të dhënat e plotësuara janë të sakta dhe të plota, njëherit pranon që ato të përpunohen
nga kompania për abonim dhe riabonim. Gjithashtu deklaron se i kupton të gjitha kushtet e kontratës për abonim
në këtë pako dhe nuk ka vërejtje lidhur me to.
2. Palët me nënshkrimin e kësaj kontrate pajtohen që kjo kontratë të hyj në fuqi pasi klienti të ketë përshkuar
të paktën 100 (njëqind) kilometra me veturën e njëjtë pas momentit të abonimit, në përputhje me kilometrat e deklaruara
nga vetë klienti në momentin e abonimit.
(ky kusht nuk aplikohet në rastet kur bëhet riabonim brenda 5 (pesë) ditëve nga abonimi i mëparshëm).
3. Kontrata do të jetë e vlefshme për një periudhë prej 365 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë) ditësh nga data kur hyn në fuqi,
sipas kushteve të mësipërme.